Wednesday, December 13, 2017

SKANDALI QË PARALAJMËROI NISHANI

SKANDALI QË PARALAJMËROI NISHANI – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
 Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Procesi zaptimit të tokave, u zgjidh. Për këtë, mjafton të shohim gazetat e përditshme ku, në faqet e para, jepen listat e atyre që përfitojnë tapitë për ndërtimet e paligjshme në toka të të tjerëve. Gjithçka ecën normalisht, në bazë të rregullave dhe ligjit përkatës, madje në media nuk harrohet të kujtohen të gjithë përfituesit e trojeve të zëna që mund të paguajnë jo me pará në dorë, por me letra me vlerë. E vetmja gjë që nuk po gjen zgjidhje, është kthimi i tokës tek pronari i vërtetë, edhe në rastet kur ajo rezulton e lirë. Është e vështirë të japësh një parashikim në kohë, nëse do të përfundojë dikur ky proces, apo ndërsa flasim dhe pronarët ëndërrojnë të marrin trashëgiminë e tyre të ligjshme, në pronat e mbetura do të ngulen të tjerë zaptues. Ligjet dhe nismat e reja qeveritare, sidoqoftë, nuk parashohin asgjë të mirë, përveç ngatërrimit të mëtejshëm të lëmshit të krijuar me pronat në Shqipëri. Kështu, ndërsa përgatitemi të hedhim hapa të mëtejshëm për në BE, do të habisim gjithkënd në kontinentin e vjetër, kur të bëjmë inventarin e pronës me të cilën do hyjmë në familjen europiane, pasi për të njëjtën njësi toke, do të paraqitemi me tre lloje subjektesh: pronarë, ish-pronarë dhe përdorues pronash të të tjerëve, që këtë të drejtë e kanë marrë nga shteti e jo nga i zoti i punës.

Ju kujtohet Orikumi?

Do të duhej që të tërhiqej deti nga gjithë gjiri i Vlorës, që të mjaftonte toka për të përmbushur kërkesat e të gjithë atyre që pretendojnë pronësinë në tokat përreth Orikumit. Megjithatë, besohet se po të mos ishte bregdet, vështirë se do të kishte një përplasje të tillë midis palëve të ndryshme. Në një stere ku deti do të ishte disa milje tutje, do të kishte hapësirë të mjaftueshme që të ndahej pa asnjë qejfmbetje, ajo çfarë kërkojnë me të drejtën e trashëgimisë ish-pronarët, ata që kërkojnë ta kthejnë në pronë në bazë të ligjit 7501, si dhe të çliroheshin nga mbivendosjet e ndryshme tokat me dy a më shumë pronarë. Kur kjo zgjidhje nuk mund të realizohet dot, pasi nuk është në dorë as tonën dhe as të qeverisë, por prej faktit se "nuk ia ka qejfi detit", atëherë palët natyrisht, do të grihen me njëri-tjetrin derisa t'ia ketë qejfi qeveritarëve.

Për këtë arsye, para disa vitesh, Orikumi ishte në protestë dhe protagonist në kronikat televizive. Konflikti për pronën që dikur mishërohej në ngjarjet e muajve më parë në Kakome, kaloi në pronësi të qytetit në cep të gjirit të Vlorës, aq të lakmuar për bregdetin e tij. Por ndërsa në Kakome kishim një konflikt midis komunitetit të Nivicës dhe shtetit, ku secila palë pretendonte pronësinë mbi gjirin piktoresk të Kakomesë, në Orikum çështja paraqitet në një tjetër dimension. Këtu nuk kemi përplasje midis një komuniteti dhe shtetit, por ndërmjet kategorive të veçanta të vetë komunitetit që banon aty. Nuk kemi konflikt ligjor ndërmjet pronës publike dhe pronës së komunitetit, por një konflikt social, se kush do të përfitojë nga moria e ligjeve që, jo rrallë, bien ndesh me njëri-tjetrin mbi të drejtën e pronës.

Duke qenë ish-ndërmarrje bujqësore, punonjësit që kanë punuar në të, kanë përfituar nga ndarja e tokave pas vitit 1991, porse ajo, sipas ligjit, është në përdorim dhe jo me të drejtë të plotë pronësie. Gjendja ka vazhduar e tillë, derisa në bazë të ligjeve të reja mbi zonat turistike, hapësira në zonën e bregdetit nuk konsiderohet më tokë bujqësore, porse troje ku mund të zhvillohet industria e turizmit. Si e tillë, mbi këto toka, ku nuk ka pronësi në bazë të ligjit 7501, kanë të drejtë të përfitojnë pronarët të cilët e kanë të trashëguar si pronë pas verifikimit të titujve të vjetër të pronësisë, nga organet përkatëse. Natyrisht, kjo zgjidhje e re nuk u ka pëlqyer ish-punonjësve të ndërmarrjes bujqësore, të cilët janë hedhur në protestë, duke kërkuar nga qeveria që t’u njohë të drejtën e plotë të pronësisë mbi tokën në bazë të ligjit 7501. Orikumi u përfshi nga ndërtimet prej firmave të ndryshme, të cilat kanë lidhur kontratë me pronarët e vjetër që i përfitojnë këto toka në bazë të ligjit për zonat turistike, por dhe me të tjerë të shkathët që, në këtë katrahurë, kanë përfituar nëpërmjet dokumenteve false. Punimet që kanë filluar në shkallë të gjerë dhe që u paraqitën si një mundësi e mirë për qytetin, për thithjen e një mase më të gjerë pushuesish, shkaktuan sidoqoftë një konflikt social, ku përgjegjës ishte shteti me ligjet e tij. Pronarët e ligjshëm e që e kanë të trashëguar, duke mos e marrë dot në dorëzim tokën, janë të detyruar të lidhin kontrata me interesa të ulëta më kompanitë e ndërtimit, për të përfituar çka të munden nga objektet që u ngritën në Orikum. Ndërsa ish-punonjësit e ndërmarrjes bujqësore që e kanë patur në përdorim atë, ndihen të tradhtuar në interesat e tyre dhe i kërkojnë shtetit t’u njohë të drejtën e plotë mbi pronën, ashtu siç kanë përfituar të tjerët nga ligji 7501, me tokat e ish-kooperativave. Sidoqoftë, e sigurt është që, në asnjë rast, pronësia mbi tokën nuk përkthehet me përdorimin e saj për prodhime bujqësore, por si përfitim nga objektet që do të ngrihen në këto troje, për qëllime turistike.

Politika ndez gjakrat me ligjet në kaos

Që prej atyre kohëve plot premtime dhe ku pronarët shihnin se po u rrëshqiste mundësia për të përfituar tokat e trashëguara, në Orikum janë përplasur shumë dallgë deti, porse situata ka mbetur pa zgjidhje. Të djathtë e të majtë, për sa kohë kanë qenë në opozitë, thjesht janë bërë premtime për zgjidhjen e problemit dhe mbrojtjen e qytetarëve nga "Mafia e tokës". Këtë shprehje që e kanë përdorur rëndom, e kanë harruar se ka mafie tokash, pasi kanë hipur në pushtet. Dhe tashmë problemi është shtrirë edhe më tej. Më në jug dhe në një zonë më të lakmuar bregdetare, në Himarë.

Pasi u mbarua punë me Orikumin, duket se ushtritë e karkalecave për të përfituar në zonat turistike, janë shtrirë në Rivierë dhe kjo po shkakton jo pak tensione sociale. Tashmë, dhe ligjet e reja mbi pronësinë mbi tokën, si dhe ligji për zhvillimin e turizmit, e miratuar nga shumica e majtë, thjesht duket se është bërë enkas për të shqyer copa bregdeti në emër të zhvillimit të turizmit. Fakti që prona mbetet ende e paregjistruar, kjo nuk ka penguar të jepen leje për resorte turistike, të cilat po ngrihen mbi toka që nuk pasqyrohen në dokumente origjina si pronë. Pra, kush e ka patur dhe si ka përfunduar në duart e ndërtuesve që kanë nisur të ngrenë vila aty.

Në rrëmujën legjislative, natyrisht do të përfitojnë akaparuesit e pronave me dokumente të falsifikuara apo të abuzimit pushtetar. Janë të shumta rastet, gjatë gjithë vijës bregdetare, aty ku dhe interesat për efekte turistike janë më të mëdha. Së fundmi, shembujt e përfitimit të paligjshëm të tokave si në Vuno, Dhërmi, Palase, Qeparo apo në Sarandë, ku me një vendim të papritur zhvleftësohet pronësia e fituar e qytetarëve të vjetër, dëshmon se duhet ndërhyrë në mënyrë energjike nga ana e shtetit, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe jo të gjenden zgjidhje për efekte elektorale, ku të dëmtuarit mbeten pronarët e vërtetë të tokave.

Skandali që zbuloi ish-presidenti

Ajo çfarë duket se i jep një nuancë më të errët gjithë procesit që ka nisur, për pajisjen me tapi të atyre që përfitojnë me ligjin 7501, pas votimit të fundit në Parlament, vjen nga deklarata e ish-presidentit Nishani. As më shuma e as më pak, deklaroi një skandal ku ligji për pronat për të cilin ka dhënë miratim Komisioni i Venecias, është i ndryshëm me atë që është miratuar në Parlament. Pra, është falsifikuar, është jashtë normave të së drejtës ndërkombëtare mbi pronën dhe se është abuzivizëm me vetë pronarët. Ende nuk kemi një reagim zyrtar për këtë çështje, porse e gjitha kjo është mjaft e rëndë, pasi shkelet në mënyrë flagrante e drejta e një pjesë të qytetarëve. Një nga të drejtat bazë të kushtetutës dhe për të cilën vetë Shqipëria është e angazhuar, duke qenë se është një nga kushtet për të nisur negociatat për anëtarësim me BE-në. Nëse kjo do të rezultojë e vërtetë, do të përbënte një skandal të madh, dhe kjo jo thjesht në letrat kredenciale për në BE, por në detyrimin ndaj qytetarëve. Të cilët nuk do kenë shpresë tjetër, veç protestës.

No comments: