Thursday, December 8, 2016

Komplot ambasadorësh!…


Frrok Çupi/
Prej ditësh mbi qiellin e politikës parlamentare po vërtitet një “komplot” diplomatik. Komploti doli hapur aq sa  nuk mundi të kontrollojë veten. Mundësia për vetkontroll u bë nul mbas 9 Nëntorit kur zoti Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Nxitimi për të mbyllur çështjet e hapura, që nesër mund të kthehen në bumerang, i bëri edhe diplomatët të humbin ftohtësinë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Lu, doli dje para publikut dhe kërkoi të mos “prekej” kolegia e tij e BE. Që nga fitorja e Trump nuk dihej a  ishte a nuk ishte ambasadori. “Mbrojtja” e të dyshuarës, me sa duket e bëri opozitën të shfaqej përballë.
Më në fund, sot, Opozita parlamentare , si në kundërpërgjigje ndaj diplomatëve, ka denoncuar përkthimin “allasoj” të Ligjit mbi Reformën në Drejtësi. Përkthimi “i keq” që i ndryshonte thelbin ligjit, nga një ligj i miratuar në Kuvend- në një ligj të deformuar në kulisa, do të rrëzonte vetë kolonat e shtetit.
Ja pse i rrëzonte kolonat e shtetit:
E para, duke paraqitur ligjin të deformuar në Komisionin e Venecias ( që në fakt quhet saktë “Komisioni Europian për Demokraci Përmes Ligjit”), ky është një atentat ndaj Vullnetit të popullit sovran të shprehur përmes vendimit të përfaqësuesve të tij në Kuvend. Ligji është shoshitur thuajse një vit në gjithë strukturat e Kuvendit që mban demokracinë e përfaqësuar të popullit, dhe pas kësaj drejtohet për në Komisionin e Venecias. Në rrugë, si në sjelljet mesjetare të banditëve, dikush zë pritë dhe i pret gjymtyrët. Në “Venecia” ligji u paraqit si një monstër, dmth., jo ai që u ngjiz nga vullneti politik i përfaqësuesve.
E dyta, përmes një procesi të quajtur “Reformë në Drejtësi” me iniciativën e nxehtë të ambasadorit amerikan, është deformuar Kushtetua, që është shpirti i Republikës. Kushtetuta e Republikës ka ndryshuar thuajse 70 për qind nga ajo që ishte miratuar me një votim popullor në vitin 1998. Kur goditet Republika, do të thotë se është prekur vetë natyra e shtetit. Shteti- një krijesë e njeriut që bën edhe mirë edhe keq, mund të jetë sakatuar në ato pjesë që bëhet i rrezikshëm për individin. Ne akoma nuk jemi vënë në dijeni çfarë gjymtyrësh janë cenuar. Ambasadorët kanë qenë gjithnjë në “muaj mjalti” me qeverinë; deri tani është thënë vetëm që “të huajt” po kujdesen që pas “Reformës” drejtësia të kalojë në dorë të qeverisë. Kjo është goditja më e rëndë mbi shtetin dhe individin.
E treta, gjatë kohës kur dy ambasadorët protagonistë (i SHA dhe i BE) ishin tërhequr (siç tërhiqen ambasadorët në raste të jashtëzakonshme) u zhvilluan ngjarjet më të mëdha të Botës: Në Amerikë fitoi zgjedhjet Donald Trump, kandidati anti- establishment; në Europë po bie klasa politike që krijoji kriza besimi dhe dinjiteti. Dy ambasadorët janë përfaqësues të establishmentit që po bie. Megjithatë po guxojnë të jenë të “egër” kundër përfaqësuesve që nuk binden verbazi. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur dhjetëra dëshmi se “Ligji i Reformës” nuk është vepër e Drejtësisë, as e popullit, por e iniciuar nga George Soros- miliarder amerikan që injektoi qeverinë e Rilindjes dhe po tenton të nxisë luftë civile në Amerikë.
E katërta, rreth deformimit të Ligjit përmes “përkthimit së prapthi” është akuzuar direkt ambasadorja e BE, Vlahurin. Ndërsa personi që u kap me “presh në dorë” është shefi i EURALIUS, gjermani Rainer Deville. Ditën që u perceptua intriga me “përkthimin e keq” nga Venecia, zoti Deville u zhduk nga Shqipëria. Media tha se “e shkarkuan”. Por më vonë, si në diplomacinë kineze, u tha se “ka shkuar për pushime”. Domethënë ambasadorët po mbrojnë ose po fshehin autorin. Kjo, edhe pse duket e largët, është një goditje mbi kolonat e shtetit. Shqipëria dhe shqiptarët- shumë ëndërrues për bashkimin me Europën dhe aleancën me Amerikën, goditen pikërisht në këtë Besim- që përbën kolonë për shtetin kombëtar.
 Pse ky komplot diplomatësh?
Në fakt është koha më e përshtatshme për “komplot”, por nga ata që dinë të godasin në pikën më të dobët. Bashkimi Europian ndodhet në një luhatje për të rënë sot apo nesër. Dje vota anti- establishment dhe skeptike ndaj Europës fitoi në Itali; në prill pritet të fitojë në Francë, në Çeki është gati të fitojë, në Hollandë- gjithashtu, rumunët po kërkojnë largimin, Bullgaria votoi anti- BE,dhe… Britania e Madhe ka ikur prej kohësh. Ambasadorja e BE di t’i lexojë këto dhe të bëjë çfarë i thotë interesi i saj “në liri” nga padroni. Ja psh., këtë që bën.
Edhe në Shtetet e Bashkuara ra establishmenti. Presidenti i zgjedhur, Donald Trump,  ka deklaruar se gjithë stafi i Obamës nuk do të jetë më rreth Shtëpisë së Bardhë as Departamentit të Shtetit. Ambasadori Lu e di se ku bën pjesë dhe nuk ka pse kujdeset më për “vlerë diplomatike”…
Komploti është kryer pas rënies së “mbretit”, kush do të urdhërojë ndëshkimin?! Edhe Drejtësia ka mbetur mes këtij e atij, por e pa drejtë. Atëherë presim,… po të prisnin ambasadorët.

No comments: